TOKYO 2020 dhe Sportistet perfitues te Burses Olimpike
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar i mbështetur nga projekti i Solidaritetit Olimpik organizoi ceremoninë e nënshkrimit të Bursave Olimpike për Sportistë “Tokyo 2020”. Sportistët që përfitojnë Bursë Olimpike mujore janë 8, përkatësisht: Izmir Smajlaj (Atletikë), Luiza Gega (Atletikë), Evagjeli Veli ( Peshëngritje), Nikol Merizaj ( Not), Jon Vrenozi ( Xhudo) Eriglent Prizreni ( Mundje), Elord Gjana ( Taekwondo), Xhino Toli (Karate). Bursat u nënshkruan nga 3 palët: KOKSH, Sportistë dhe Federatë. Në fjalën e tij Presidenti Viron Bezhani theksoi mbështetjen e vazhdueshme të KOKSH për përgatitjen serioze drejt Tokyo 2020 ndërsa përfaqësues i MASR njëkohësish anëtar i Komisionit Teknik pranë KOKSH, Z. Arjan Konomi theksoi rëndësinë e partneritetit KOKSH – MASR në rrugën e përbashkët të zhvillimit të sportit shqiptar. Sportistët u shprehën se ndihen të vlerësuar dhe se do të bëjnë maksimumin e tyre për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë.
Për më shumë detaje më poshtë deklarata e Presidetit të KOKSH Viron Bezhani sot në Konferencën për Shtyp
Bursat Olimpike për Sportistë “Tokyo 2020”
Lojërat Olimpike Verore të radhës do të zhvillohen në Tokyo, Japoni në vitin 2020 dhe në këtë kuadër Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar tashmë ka nisur përgatitjet për këtë ngjarje. Një nga programet për këtë qëllim është edhe programi i Bursave Olimpike për Sportistë “Tokyo 2020” që financohet nga Solidariteti Olimpik Ndërkombëtar.
KOKSH nënshkruan këtë program të Bursave Olimpike midis palëve të përfshira sportistët dhe Federatat respektive, në mënyrë që sportistët përfitues të bursës të maksimizojnë përqëndrimin dhe stërvitjet e tyre me objektiv final kualifikimin për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.