Tirane me 26.11.2013
Deklarate Per Shtyp
Të nderuar përfaqësues të medias
Gjatë fundjavës së kaluar, në Romë të Italisë u zhvillua asambleja e 42-të e Komitetit Olimpik Europian (EOC), ku mori pjesë edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar përfaqësuar nga presidenti Viron Bezhani e sekretari Stavri Bello. Një takim i rëndësishëm, ku mori pjesë edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) z.Tomas Bah dhe ku u diskutua për çështje të ndryshme të familjes së madhe olimpike. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Solidaritet Olimpik, me të cilët KOKSH-i ka marrëdhënie të shkëlqyera e ku mbështetja ka qenë e madhe, apo përfaqësues të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA). Një asamble ku u diskutua dhe u prezantuan disa nga aktivitetet e ardhshme olimpike që do të zhvillohen gjatë vitit 2014, duke nisur nga:
- Lojërat Olimpike Dimërore “Sochi 2014”.
- Lojerat Olimpike Rinore verore ne “Nanjing 2014” ne muajin gusht
Gjithashtu, u diskutua për projekt-progresin e kryer për Olimpiadën e vitit 2016 në Rio de Zhaneiro të Brazilit e për mjaft veprimtari të tjera Olimpike në vitet në vijim.
Më pas u kryen zgjedhjet për drejtuesit e rinj të Komitetit Olimpik Europian, ku në detyrën e presidentit u rizgjodh Patrik Hickey për të tretën herë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edicionit të parë të Lojërave Olimpike Europiane, të cilat do të zhvillohen për herë të parë në histori, në vitin 2015, në Baku të Azerbajxhanit e ku edhe Shqipëria do të marrë pjesë me sportistët e saj më të mirë. Një aktivitet që do të jetë një “gur prove” për sportistët shqiptarë në prag të Olimpiadës së Rios.
Përveç zhvillimeve të Asamblesë delegacioni olimpik shqiptar kishte edhe axhendën e tij të ngjeshur me takime me përfaqësues të ndryshëm të familjes olimpike në këto dy ditë të qëndrimit në Romë.
Natyrisht që momenti më i rëndësishëm ishte takimi me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach dhe presidentin i Komitetit Olimpik Europian, Patrik Hickey. Një takim me shumë vlera dhe z.Bach premtoi se do të kryhet një takim i përbashkët mes tij, presidentit të KOKSH-it dhe Ministres së Arsimit dhe Sporti, Znj.Lindita Nikolla, për të konfirmuar mbështetjen e tij për Shqipërinë dhe olimpizmin në vendin tonë.
Takime patëm edhe me përfaqësuesit më të lartë të Komitetit Olimpik Europian dhe ramë dakord që një nga mbledhjet e bordit drejtues të EOC-it të zhvillohet në Tiranë gjatë vitit 2014.
Gjithashtu, më 27 janar, në Tiranë do të vijë një delegacion I Organizates Europiane Jo Qeveritare(ENGSO) për të zhvilluar një seminar për qeverisjen e mire te organizatave sportive.
Së bashku me sekretarin Bello zhvilluam një takim shumë të rëndësishëm me përfaqësuesin e Agjencisë Ndërkombëtare Antidoping për Europën, z.Frederik Donze. Ramë dakord që z.Donze të vijë në Shqipëri së shpejti për një seminar trainimi për të parandaluar fenomenin e dopingut. Kjo mbetet një çështje e rëndësishme për ne për të evituar raste të tjera dopingu në sportin shqiptar.
Arritëm një marrëveshje për një stërvitje më të specializuar të atletes Luiza Gega,kantidate per tu kualifikuar per Lojrat Olimpike “Rio 2016” si dhe per fitimin e burses Olimpike, e cila do të stërvitet në Itali, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm.
Brenda vitit 2014 do të nënshkruajmë dy projekt-marrëveshje, një në Baku me përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Azerbajxhanit dhe një në Tiranë me përfaqësues të Komitetit Olimpik Turk.
Të dyja këto marrëveshje kanë si piksynim kryesor stërvitjen e përbashkët me sportistët tanë më të mirë në bashkëpunim me këto dy vende.
Gjithashtu nje takim i vecante na u rezervua nga Presidenti i shoqates boterore te gazetareve sportive (AIPS) z.Giani Merlo dhe rame dakort te te organizojme ne Tirane nje seminar trainimi per gazetaret sportive.
Ju faleminderit
Viron BEZHANI