Dita Olimpike · Mirditë
Rrësheni feston Ditën Olimpike me mbi 800 nxënës nga 17 shkolla
Në zemër të Rrëshenit u zhvillua “Dita Olimpike”, një aktivitet madhështor nën kujdesin e ZVAP Mirditë dhe në bashkëpunim me Akademinë Olimpike, që shënoi finalizimin e Javës Olimpike në 17 shkollat e kësaj zyre.
Sheshi i qytetit u kthye në një arenë feste, energjie dhe emocionesh, ku mbi 800 nxënës përfaqësuan me krenari dhe dinjitet shkollat e tyre, duke sjellë atmosferë të jashtëzakonshme sportive dhe artistike.
Një traditë që bashkon komunitetin
Tashmë e kthyer në traditë për qytetin e Rrëshenit, “Dita Olimpike” dëshmoi edhe një herë forcën që sporti ka për të bashkuar komunitetin dhe për të promovuar vlerat më të mira tek të rinjtë.
Aktiviteti u nderua nga pjesëmarrja e Presidentit të KOKSH-it, z. Fidel Ylli, Kryetarit të Bashkisë Mirditë, z. Albert Mëlyshi, Drejtorit të DRAP Lezhë, z. Hasan Muça, Zv. Presidentit të KOKSH-it, z. Erlind Pëllumbi, si dhe përfaqësuesve të institucioneve sportive dhe arsimore.
Sport, kreativitet dhe shpirt olimpik
Gjatë aktivitetit, nxënësit sollën prezantime plot ngjyra dhe kreativitet, ku spikatën ushtrimet lëvizore, gjimnastika, aerobika, lojërat popullore dhe kërcimet ritmike. Me shumë pasion, energji dhe shpirt olimpik, ata treguan se sporti është shumë më tepër se garë — është edukim, bashkim dhe frymëzim për brezin e ri.
Mirdita, me tradita dhe vlera të forta, vazhdon të japë shembullin se si sporti, arti dhe kultura mund të ecin së bashku, duke frymëzuar komunitetin dhe duke forcuar frymën olimpike tek të rinjtë.