Ekipet Sportive në Shkolla · Shah
Festivali i Parë Kombëtar i Shahut bashkon 300 nxënës në Tiranë
Shahu po kthehet çdo ditë e më shumë në një nga disiplinat më të dashura për fëmijët shqiptarë. Sporti i mendjes, përqendrimit dhe strategjisë ka hyrë fuqishëm në projektin “Ekipet Sportive në Shkolla”.
Pas një rrugëtimi të mbushur me pasion, përkushtim dhe emocione, në Pallatin e Sportit “Feti Borova” në Tiranë u zhvillua Festivali i Parë Kombëtar i Shahut për ciklin e ulët, një aktivitet që u kthye në një festë të vërtetë sportive dhe edukative.
300 nxënës në një sfidë të mendjes dhe strategjisë
300 nxënës nga qytete të ndryshme të Shqipërisë u përballën në tavolinat e shahut, duke treguar inteligjencë, qetësi, durim dhe aftësi strategjike në çdo lëvizje. Për shumë prej tyre ishte eksperienca e parë në një aktivitet kombëtar, ndërsa emocionet dhe adrenalina ndiheshin në çdo ndeshje.
Një atmosferë fantastike u krijua edhe në tribunat e pallatit të sportit, ku prindërit, mësuesit dhe të afërmit ndoqën me shumë emocion lojërat e fëmijëve, duke i mbështetur dhe duartrokitur në çdo moment.
Shahu në shkolla, një investim në edukimin e fëmijëve
Aktiviteti u përshëndet nga Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli, i cili vlerësoi rëndësinë që ka përfshirja e shahut në shkolla dhe ndikimin pozitiv që ky sport ka tek fëmijët.
Gjithashtu të pranishëm ishin Deputeti dhe Presidenti i Nderit i Shahut, z. Eduart Shalsi, si edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, GM Erald Dervishi, të cilët përgëzuan të gjithë pjesëmarrësit për nivelin dhe pasionin e treguar gjatë festivalit.
Finalet dhe fituesit e festivalit
Momenti më emocionues i ditës ishin ndeshjet finale, të ndjekura me shumë vëmendje dhe entuziazëm nga të gjithë të pranishmit.
🥇 Vendi i parë
Albion Biraku
Durrës
Shkolla “14 Nëntori”
🥈 Vendi i dytë
Alion Dervishi
Tiranë
Shkolla “Jeronim De Rada”
🥉 Vendi i tretë
Ersi Jaupllari
Skrapar
Shkolla “Zylyftar Veleshnja”
🥉 Vendi i tretë
Samuel Zeka
Tiranë
Shkolla “Fan Noli”
Festivali i Parë Kombëtar i Shahut konfirmoi edhe një herë se sporti shkollor po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha dhe se shahu po fiton zemrat e fëmijëve shqiptarë, duke u kthyer në një sfidë të bukur të mendjes dhe inteligjencës.