Dita Olimpike · Edicioni i dytë
Dita Olimpike e Amantias: aty ku historia takohet me sportin
Vajzë Fest u vesh sërish me ngjyrat olimpike, duke e kthyer këtë festë në një takim të madh me historinë, kulturën, trashëgiminë popullore dhe sportin.
Nga “Olimpi” shqiptar, në stadiumin antik të Amantias, u zhvillua edicioni i dytë i Ditës Olimpike të Amantias, me praninë e atletëve të rinj shqiptarë, të cilët përfaqësojnë me energjinë, talentin dhe përkushtimin e tyre vlerat dhe parimet më të mira të olimpizmit.
Nën kujdesin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Akademisë Olimpike, me mbështetjen e Bashkisë Selenicë, pasditja e 15 gushtit u shndërrua në një festë të bukur sportive e kulturore, që bashkoi breza dhe promovoi vlerat që na lidhin me historinë dhe identitetin tonë.
Një takim me historinë dhe vlerat olimpike
Aktiviteti u hap nga Kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe falënderoi të gjithë ata që po kontribuojnë çdo vit në promovimin e kësaj zone dhe të pasurisë së saj historike e kulturore.
Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli, e cilësoi zhvillimin e këtij aktiviteti në stadiumin antik të Amantias si një detyrim për të ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi historinë e jashtëzakonshme dhe traditat e kësaj treve.
Aktivitetin e përshëndeti edhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, i cili vlerësoi organizimin dhe vizionin për të bashkuar në një aktivitet të vetëm historinë, traditat, vlerat kulturore dhe olimpizmin.
Pjesë e ceremonisë ishte edhe z. Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe një prej iniciatorëve të Vajzë Fest, i cili e vlerësoi si një vlerë të shtuar zhvillimin e përvitshëm të Ditës Olimpike të Amantias.
Sporti dhe talentet e reja në zemër të Amantias
Më pas, federatat sportive pjesëmarrëse sollën në Amantia një spektakël të veçantë me demonstrime sportive, ku u shfaqën si sportistët më të mirë shqiptarë, ashtu edhe talentet e reja që përfaqësojnë të ardhmen e sportit.
Amantia nuk është vetëm një monument i së shkuarës. Është një histori që vazhdon të jetojë përmes të rinjve, sportit, kulturës dhe vlerave që përcillen brez pas brezi.